Biografia sportive

Qyteti i Korçës në kujtesën e tij ruan mjaft emra që lanë gjurmë në historinë e sportit korçar. Kjo histori do të ishte e cunguar pa emrin e Kosta Koçës, njërit prej emblemave të futbollit korçar.

 

            Lindur në Korçë, më 11.03.1934.


Karriera si sportist

 

Nga vitet 1949-1967 ka luajtur me ekipin e futbollit të “Skënderbeut”, duke qënë një nga figurat kryesore të ekipit.

Në vitet 1949-1951 ka luajtur si futbollist me ekipin e të rinjve të “Skënderbeut” me trajner Tato Bimblin, ekip i cili fitoi tri vite me radhë kampionatin kombëtar. Ky ekip dekorohet nga Kuvendi Popullor.

Më pas kalon në ekipin e të rriturve.

Në vitet 1951-1952 shpallet kampion kombëtar si atlet në krosin e zhvilluar në Berat dhe po në këtë vit shpallet kampion kombëtar në garat 400m, 800m e 1500m ku thyen edhe rekordin kombëtar.

            Po në këto vite ka dalë tri herë kampion si boksier, duke fituar titullin kampion i dyfishtë, pasi fitoi ndaj kampionit të të rriturve Jonus Saraçi dhe po ashtu fitoi dhe ndaj dy kandidatëve “Mjeshtër” Fadil Dervishi dhe Fadil Tahiri.

            Gjatë kësaj periudhe ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të të rriturve në futboll.

Të gjitha këto arritje madhore plotësonin kushtet për fitimin e titullit “Mjeshtër Sporti”, por për arsye biografike gjithccka u la në harrese.

            Gjatë këtyre viteve përveç punës si sportist, ka punuar edhe si mësues i edukimit fizik në disa shkolla me emër të qytetit të Korçës si: “ABC”(sot muzeu i shkollës së parë shqipe), “Stavri Themeli”, “ 7 Nëntori”(sot shkolla “Sevasti Qiriazi”) ku dekorohet me titullin “Mësues i dalluar”.

 

Karriera si trajner

 

Në moshën 33 vjeçare filloi punën si trajner i para të rinjve. Gjithë përvojën e fituar si lojtar ai ua transmetoi brezave të rinj duke furnizuar ekipin e të rriturve me futbollistë me emër si: Dhimitraq Xhambazi, Jani Kaçi, Vaskë Thimio, Arben Burda, Piro Qirjazi, Miludin Kërçiç, Gilbert Rapo, Maqo Floqi, Gjergji Lika, Gëzim Muhaxhiri, Petrika Foto, Vladimir Kaçani etj.

Në vitin 1975 caktohet trajner me ekipin e të rriturve i cili përfaqësohet denjësisht në kampionatin kombëtar duke arritur rezultate të pa para deri më parë .

Në vitin 1977 ekipi i “Skënderbeut” zuri vendin e dytë në kampionatin kombëtar, kur kampionatit për çudi të të gjithëve i shtohet edhe një fazë e tretë dhe kampion del “Dinamo”.

Në vitet 1982-1984 caktohet përsëri trajner i ekipit të “Skënderbeut”, i cili kishte rënë në kategorinë e dytë. Me punën e palodhur të tij u arritën rezultate shumë të mira dhe brenda sezonit “Skënderbeu” e sheh veten në shuadrat më të mira të kategorisë së parë. Me lojërat e zhvilluara arrihen rezultate të kënaqshme dhe skuadra renditet në vendin e pestë në kampionatin kombëtar duke u përfshirë në spartakiadën kombëtare. 

Në vitin 1985 caktohet mësues i edukimit fizik pranë shkollës 8-vjeçare “Stavri Themeli” për të përgatitur ekipin e klasës sportive në futboll. Në përfundim të katër viteve ky ekip zë vendin e parë në kampionatin e organizuar me këto grupmosha në rang kombëtar.

Në vitin 1989 caktohet trajner i ekipit të të rriturve, pasi ekipi i “Skënderbeut” kishte zbritur përsëri në kategorinë e dytë. Me mbarimin e kampionatit ekipi renditet i pari dhe përfshihet në ekipet e kategorisë së parë, ku për vite me radhë arrin rezultate të kënaqshme.

Në vitin 1993 pas shkatërrimit total të ekipit, filloi punën për organizimin dhe drejtimin e ekipit të pare, nisur nga pasioni dhe dëshira e madhe për futbollin pa marrë parasysh përfitimet materiale.

 

Në vitin 1996 filloi punën për përgatitjen e një ekipi të moshave të vogla, me të cilin arriti rezultate të shkëlqyera. Ky ekip përfshihet në ekipin e të rinjve dhe vazhdon të stërvitet nga mjeshtri i madh, ku edhe në këtë kampionat arrin rezultate të kënaqshme.

Puna e tij në drejtim të stërvitjes së brezave të rinj nuk ndalet dhe përsëri e shohim pranë tyre me një ekip për moshat 1993-1994, me të cilin në vitin 2007 fiton ballkaniadën e zhvilluar në qytetin e Pogradecit duke u kurorëzuar me kupën e këtij aktiviteti.

Në vitin 2008 ky ekip përfshihet në superligën e para të rinjve ku del nënkampion i vjeshtës.

 

Një karrierë e gjatë, gati 60-vjeçare, e mbushur me rezultate, punë të vazhdueshme e të palodhshme, me çmime e tituj.  

Në vitin 1995 i akordohet titulli “Mjeshtër Sporti”, për kontribute të shquara në veprimtaritë futbollistike, si dhe arritjen e rezultateve të larta në Klubin e Futbollit “Skënderbeu”.

Në vitin 2009 Bashkia e Qytetit Korçë i akordon titullin “Mirënjohje” për vlerat e larta dhe kontributin e çmuar në futbollin korçar.